Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), me të cilët diskutoi lidhur me kontributin e tyre për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Presidenti Begaj vlerësoi angazhimin e KKD-së për implementimin e votës së diasporës për zgjedhjet në Shqipëri dhe e nxiti atë të angazhohet vazhdimisht, në mënyrë domethënëse dhe sa më aktive në hartimin e politikave publike, duke sjellë praktikat më të mira si dhe një perspektivë ndryshe dhe shumë të rëndësishme në zhvillimin e kombit.
“Garantimi i votës së diasporës siguron pjesëmarrjen e saj aktive në jetën e kombit dhe reflekton perspektivën, përvojën dhe këndvështrimin e saj në hapat e ardhshëm që synojnë përparimin e vendit”, theksoi presidenti Begaj.
Kreu i shtetit u shpreh se ndërsa diaspora është pjesë aktive e shoqërive në vendet pritëse, ajo është gjithashtu pjesë e pandarë e një kombi, zhvillohet bashkë me të dhe nxit përparim në shumë fusha të jetës.
Në këtë aspekt, presidenti Begaj vlerësoi se fuqizimi i diasporës, mbështetja dhe nxitja e pjesëmarrjes aktive së saj në politikat e zhvillimit të një kombi do të ishte një përfitim i jashtëzakonshëm për shoqërinë.
Begaj vuri gjithashtu në dukje se përpjekja për të mbajtur gjallë gjuhën amtare, kulturën, traditat dhe vlerat më të mira i shërben ruajtjes së identitetit tonë kombëtar dhe duhet të nxitet e të mbështetet maksimalisht.