Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë të cilit u vlerësua partneriteti i fortë dhe progresi që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj vlerësoi lidershipin e Presidentes von der Lyen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces, duke mundësuar që të jetë ndër të parat përfituese e fondeve nga Plani i Rritjes, si dhe për insistimin për të patur Ballkanin Perëndimor në qendër të agjendës të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit, kreu i Shtetit nënvizoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një mision kombëtar, interes kombëtar dhe ëndrra 35-vjeçare që bashkon brezat dhe shoqërinë, dhe se progresi i arritur në hapjen e 28 kapitujve negociues në pesë nga gjashtë grupkapitujt dëshmon vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të ecur përpara me ritme të shpejta e të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë dy arritje që Shqipëria i ka realizuar si asnjë vend tjetër në rajon dhe vijojnë të jenë prioritare në mbrojtje të interesit publik dhe të respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Ai vuri në dukje rëndësinë e digjitalizimit dhe inovacionit në qeverisje si pjesë e procesit të modernizimit të administratës publike dhe rritjes së transparencës.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe e angazhuar aktivisht në dialogun e sigurisë dhe të mbrojtjes BE-Shqipëri.
Kreu i Shtetit u ndal edhe në rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si pjesë integrale të stabilitetit dhe të ardhmes së Evropës.
Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme dhe e përkushtuar në këtë udhëtim, duke theksuar se integrimi evropian është një investim i përbashkët për të ardhmen e kontinentit.
Presidenti i Republikës falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen e vazhdueshme teknike, politike dhe financiare, si dhe për vizionin e përbashkët për një Evropë të bashkuar, të fortë dhe gjithëpërfshirëse./D.B/KP