Sot, Shqipëria dhe shqiptarët humbën një gjeni të letrave me largimin e Ismail Kadares, shkroi Presidenti i Republikës Bajram Begaj në rrjetet sociale. Ai e cilësoi Kadarenë si emancipuesin e tyre shpirtëror, poetin e miteve të Ballkanit, dhe një përfaqësues të shquar të letërsisë moderne në Evropë dhe botë.
“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi Presidenti Begaj.
Ismail Kadare u nda nga jeta sot në moshën 88-vjeçare, pas një shtrimi në QSUT. Lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, ai u bë një nga figurat më të njohura të letërsisë shqiptare, duke lënë gjurmet e tij të thella edhe përtej kufijve të vendit. Kadare ka qenë kandidat i vazhdueshëm për çmimin Nobel për Letërsinë dhe ka fituar shumë çmime të tjera prestigjioze në karrierën e tij të shkëlqyer./UBTNews/