UBT News

Begaj në ShBA: Pa udhëheqjen amerikane nuk do të kishim një Kosovë të pavarur

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjatë fjalës në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”,Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dayton-it dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Duke nxjerr në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajoni tonë, Begaj theksoi se “Marrëveshja e Paqes e Dayton-it i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës”.

Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”.

Begaj tutje vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.

Exit mobile version