Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mirëpritur hapin e radhës nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me liberalizmin e vizave për Kosovën. Ai pret që ky proces të përmbyllet në tërësi sa më parë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës.
Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan vendimin për liberalizmin e vizave për Kosovën, vendim të cilin Begaj e ka konsideruar si shumë të merituar.
“Përshëndes hapin e rëndësishëm të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza te qytetarëve të Kosovës ne hapësirën Shengen! Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor! Një vendim shumë i merituar!”, ka shkruar Begaj.
Vendimi i miratuar në Këshillin e Punëve të Brendshme në Bruksel është “në lexim të parë” dhe është marrë pa diskutime.
Ndërsa rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe në fund të nënshkruhen dhe botohen në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.
Lëvizja e lirë, në zonën Shengen, për qytetarët e Kosovës pritet të fillojë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.