Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se Forumi për Paqen, Gratë dhe Sigurinë është dëshmi e zotimit të përbashkët rajonal, ku roli i grave në shoqëri është themelor. Begaj tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i shumë konflikteve të përgjakshme, ku barrën më të rëndë e kanë bartur gratë, që kanë qenë cak i dhunimit, poshtërimit dhe torturës.
“Ky forum është dëshmi e zotimit të përbashkët për paqen dhe sigurinë, derisa reflektojmë për kontributin aktiv të Kosovës për një të ardhme përparimtare kur roli i grave do të jetë themelor. Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme që kanë lënë shenja të paharrueshme në tokat tona, por edhe zemrat tona dhe gjithmonë do të mbetet në kujtesën tonë historike. Ndër ata që kanë bartur barrën më të rëndë të këtyre konflikteve janë gratë. Gratë kanë qenë cak i dhunës, torturës dhe spastrimit etnik. Këto konflikte na shërbejnë si një rikujtues i dhimbshëm i çmimit të shtrenjtë të paguar, veçanërisht nga gratë”, tha ai.
Begaj në Forumin për Paqen, Gratë dhe Sigurinë theksoi nevojën e bashkëpunimit, progresit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.
“Sot jemi bërë bashkë në Kosovë për të ritheksuar përkushtimin tonë të fortë ndaj bashkëpunimit, progresit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Të gjithë janë me rendësi thelbësore për të nxitur paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.