Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka njoftuar se sonte do të publikohet projekti i saj më i ri muzikor, një bashkëpunim me DJ-në e njohur belg, Netsky.
Kënga mban titullin “Light That Leads Me” dhe pritet të sjellë një tjetër dimension në repertorin e saj muzikor.
Përmes një videoje të publikuar në InstaStory, ku shfaqet pa filtra dhe pa makijazh, Bebe u tregua e sinqertë me fansat e saj, duke ndarë disa detaje rreth këtij projekti dhe situatës aktuale të albumit të saj të ardhshëm BR4 (Bebe Rexha 4).
“Shumë njerëz më kanë pyetur për albumin tim BR4, dhe e vërteta është që nuk është gati ende. Jam duke punuar shumë fort për të, por ndërkohë kam një këngë që do të publikohet sonte. Është bashkëpunimi im me Netsky, një producent dhe DJ i jashtëzakonshëm. Kënga titullohet Light That Leads Me dhe shpresoj që ta pëlqeni”, tha Bebe në videon e saj.
Ky bashkëpunim vjen në një moment kur pritshmëritë për albumin e ri të Rexhës janë mjaft të larta, duke qenë se çdo projekt i saj i mëparshëm është pritur me shumë sukses global.
Publikimi i “Light That Leads Me” shihet si një dhuratë e veçantë për fansat që mezi presin kapitullin e ardhshëm të karrierës së saj.