Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, po vazhdon të shënojë suksese të reja në karrierën e saj muzikore me albumin më të fundit “Dirty Blonde”.
Vetëm pak ditë pas publikimit, albumi ka arritur të ngjitet në vendin e parë të klasifikimit Billboard Top Dance Albums, duke u bërë më i dëgjuari aktual në këtë zhanër në Shtetet e Bashkuara.
Suksesi i projektit është reflektuar edhe në klasifikime të tjera të rëndësishme të Billboard, ku albumi ka hyrë në vendin e gjashtë në Independent Albums, vendin e gjashtë në Top Album Sales dhe në pozitën e 43-të në Billboard 200.
Billboard i ka dedikuar një postim të veçantë artistes shqiptare në rrjetet sociale, të cilin ajo e ka shpërndarë më pas në profilin e saj zyrtar, duke e cilësuar këtë arritje si një moment historik në karrierën e saj.
“Dirty Blonde” shënon albumin e parë të Bebe Rexhës që arrin në krye të listës Dance të Billboard, duke e konsoliduar edhe më shumë pozitën e saj në skenën muzikore ndërkombëtare./A.K/
