UBT News

BE: Zgjedhjet në veri s’ofrojnë zgjidhje afatgjate, Asociacioni të finalizohet shpejt

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se zgjedhjet e djeshme në veri nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna dhe sipas BE-së, kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim.

BE ka theksuar se puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, është bërë e ditur në deklaratë, duke u potencuar se marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv.

BE-ja ka mirëpritur profesionalizmin e Policisë së Kosovës, misionit të saj për sundimin e ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt gjatë zgjedhjeve.

Sipas BE-së, zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Në të njëjtën kohë, BE-ja ka shprehur keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje.

“Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet i zakonshëm. Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”, është bërë e ditur ndër të tjera nga BE.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Mitrovicën e Veriut ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 519 vota apo 66.5 për qind, pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi me 186 vota apo 23.8 për qind, kurse Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka marrë 75 vota apo 9.6 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar po ashtu në komunën e Leposaviqit me kandidatin Lulzim Hetemi, i cili ka marrë 100 vota apo 73.5 për qind, pasuar nga kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli-Hetemi që ka marrë 34 vota apo 25 për qind.

Ndërkaq, në dy komunat tjera, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas të dhënave të KQZ-së ka fituar Partia Demokratike.

Në Zubin Potok ka fituar kandidati i PDK-së, Izmir Zeqiri me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse kundër kandidati i tij nga LVV, Flatron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.9 për qind.

Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK-ja ka fituar 114 vota në Zveçan apo 60.0 për qind, pasuar nga kandidati i LVV-së, Lulzim Peci me 71 vota apo 37.4 për qind.

Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Exit mobile version