BE po përgatitet të ngrijë asetet e Vladimir Putinit dhe ministrit të tij të jashtëm, Sergei Lavrov nën një pako të re sanksionesh, sipas katër personave të njohur me këtë çështje, përcjell UBT News.
Ministrat e Jashtëm shpresojnë të miratojnë pakon e sanksioneve këtë pasdite, së bashku me një numër masash kundër bankave dhe industrisë ruse, thanë ata.
Putin dhe Lavrov nuk do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit sipas masave, duke nënvizuar gatishmërinë e BE-së për të mbajtur të hapura mundësinë simbolike për bisedime diplomatike.
Lëvizja vjen ndërsa BE përgatitet të nënshkruajë pakon e dytë të kufizimeve ndaj Rusisë brenda tre ditëve. Propozimet e tjera të kohëve të fundit do të ngrinin disa transaksione, dhe do të ndalonin shtetasit rusë të bënin depozita të mëdha në bankat e BE-së.
BE-ja është nën presion për të rritur presionin e saj ndaj Putinit, ndërsa ai intensifikon sulmin e tij ndaj Ukrainës. Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, të premten kritikoi Evropën për mos vendosjen e sanksioneve mjaft të rënda ndaj Moskës, duke i bërë thirrje Putinit të negociojë në mënyrë që të “ndalojë vdekjet”.
Duke iu drejtuar kombit në televizion, Zelensky tha, “Kancelari gjerman foli dje për pushtimin e Ukrainës, se Evropa nuk kishte parë diçka të tillë për 75 vjet. Por kjo nuk është e gjithë e vërteta. Ky nuk është vetëm pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Ky është fillimi i një lufte kundër Evropës. Kundër solidaritetit europian. Kundër të drejtave elementare të popullit europian”.
Udhëheqësit e BE-së dhanë miratimin politik për pakon e dytë të sanksioneve në një seancë të jashtëzakonshme të samitit të mbrëmshëm në Bruksel.
Duke folur pas takimeve në orët e para të mëngjesit të së premtes, Ursula von der Leyen, presidentja e komisionit, tha se ajo priste që masat, kur të finalizoheshin, të kishin “ndikim maksimal në ekonominë ruse dhe në elitën politike”./UBTNews/