Situata në Afganistan ka shtyrë BE-në të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, Josep Borrell, njoftoi sot se pasditen e së martës do të zhvillojë një mbledhje me videokonferencë.
“Afganistani ndodhet në udhëkryq. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve të saj, si dhe siguria ndërkombëtare janë në diskutim.” – shkroi në Twitter Borrell.
Në një deklaratë të përbashkët të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), 70 shtete, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, u bënë sot thirrje të gjitha palëve në Afganistan “të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi”.
“Afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë, rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet. Populli afgan meriton të jetojë në siguri, dinjitet dhe siguri. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata,” – u tha në deklaratën e përbashkët.
Talebanët morën tërësisht kontrollin e Afganistanit të dielën, rreth tre javë pasi trupat amerikane u tërhoqën duke lënë kontrollin autoritetit të Presidentit Ashraf Ghani.
Ghani u largua të dielën nga vendi duke lëshuar pallatin presidencial. Ai deklaroi nga Taxhikistani se ishte i detyruar të shmangte një konflikt të përgjakshëm.
Talebanët kanë drejtuar Afganistanin në fillim-vitet 90-të sipas një shteti islamik nën diktatin e sheriatit, sistem ky që u privon të drejtat dhe liritë grave dhe ndëshkon brutalisht vjedhjet, apo shkeljet e moralit.
Kjo vijoi deri në fillim-vitet 2000 kur SHBA dhe NATO ndërhynë ushtarakisht për t’i rrëzuar nga pushteti.
SHBA dhe vendet perëndimore besojnë se rikthimi i tyre në pushtet, rreth 20 vite më vonë, do të kthejë të njëjtin sistem shtypës ndaj qytetarëve.