UBT News

BE: Tensionet në Kosovë mund të përhapen në rajon, prioritet de-eskalimi i situatës

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për gjetje të një zgjidhje evropiane pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë se se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ për gjithë rajonin.

Në një konferencë për medie Stano tha se për momentin prioritet është de-eskalimi i situatës në teren.

“Ne jemi ende duke studiuar rishikimin nga palët, por për momentin prioritet është të de-eskalimi i situatës në teren. Gjatë ditëve të fundit, ne kemi parë në të vërtetë përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe zhvillime të cilat po vënë në rrezik vite të tëra pune të palodhur dhe arritjeje. Kjo ka pasoja jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin. Pra, ne po u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbushin përgjegjësitë për të gjetur një zgjidhje evropiane. Përfaqësuesi i lartë Borrel ka lëshuar një deklaratë të shtunën në mbrëmje lidhur me zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij nga të dyja palët, Serbisë dhe Kosovës… Bashkimin Evropian, përpiqet që Kosova dhe Serbia të përmbushin përgjegjësitë e tyre, të gjejnë një zgjidhje evropiane për të de-eskaluar situatën aktuale dhe për t’u angazhuar seriozisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga ngërçi aktual, nga përshkallëzimi aktual. Dhe kjo është një rrugë që çon drejt perspektivës së BE-së të të dy palëve”, tha Stano.

Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian bëri thirrje që Kosova të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e tij.

Sipas tij, moszbatimi i këtij obligimi cenon jo vetëm parimin e sundimit të ligjit por edhe kredibilitetin e Kosovës.

“Ekziston një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë të themelojë, ose të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni apo Komuniteti. Ky është një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, dhe moszbatimi i vazhdueshëm i këtij obligimi cenon, jo vetëm parimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës. Pra, tani i takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, të përmbushin angazhimet dhe detyrimet e tyre që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit, nga marrëveshjet e bëra në kuadër të dialogut. Përfaqësuesi i lartë, Borrell ishte në kontakt, ai foli me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti gjatë fundjavës”, tha ai.

Stano ka thënë se nëse përshkallëzimi vazhdon askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq.

Ai tha se BE po apelon tek liderët e Serbisë dhe Kosovës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje evropiane për të tejkaluar situatën.

“Sa herë që ka një destabilitet lokal, destabiliteti lokal eksportohet, dhe ka pasoja dhe implikime edhe në rajonin e gjerë. Ne e shohim në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një sulm brutal ilegal ushtarak nga një vend kundër një vendi tjetër, dhe pasojat nuk kufizohen vetëm në këto dy vende, pasojat po prekin e gjithë botën. Pra, nëse kemi një pikë tjetër të ndezjes në tokën evropiane, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse përshkallëzimi vazhdon, askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq që mund të çojë në dhunë. Pra, nëse ka diçka që bëhet në nivel lokal ose shpërthen në nivel lokal, në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja për rajonin. Kjo është diçka që Evropa nuk mund ta përballojë, Serbia dhe Kosova nuk mund ta përballojnë, rajoni nuk mund ta përballojë, dhe për këtë arsye ne po apelojmë në përgjegjësinë e liderëve në Serbi dhe Kosovë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ndërmarrë hapa drejt më shumë sjelljeve evropiane dhe kërkimit të një zgjidhjeje evropiane për të de-eskaluar”, u shpreh ai.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme mandatet e tyre i dorëzuan edhe 10 deputetët e Listës Serbe.

Këto veprime kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë suspenduar drejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq.

Ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Exit mobile version