Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) Josep Borrell tha të dielën se takimi ministror i javës së ardhshme midis BE-së dhe Ligës Arabe, do të shtyhet në shenjë proteste ndaj ripranimit të Sirisë në organin pan-arab.
Borrell tha se regjimi sirian u ripranua në Ligën Arabe pavarësisht se nuk u bënë “përpjekje domethënëse për zgjidhjen e konfliktit” nga regjimi.
“Në këtë moment nuk ka asnjë përgjegjësi serioze të regjimit. Kjo nuk perceptohet lehtë nga ne. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe Lidhja e Shteteve Arabe shtynë takimin tonë ministror me kërkesë të Bashkimit Evropian”, shtoi Borrell gjatë vizitën e tij në Egjipt.
Diplomati më i lartë evropian tha se qëndrimi i BE-së në lidhje me regjimin sirian “nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë derisa të bëjnë përparim në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Muajin e kaluar, liga me bazë në Kajro rivendosi Sirinë pas 12 vitesh pezullim për shtypjen brutale të regjimit ndaj protestave pro-demokracisë.
Më 19 maj, kreu i regjimit sirian, Bashar Al-Assad, mori pjesë në samitin e Ligës Arabe në Arabinë Saudite për herë të parë që nga viti 2011. /AA/