UBT News

​BE: Rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për dinarin varen nga aftësia e të dy palëve

Përfundimi i raundit të katërt të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë i mbajtur më 18 prill në Bruksel për çështjen e dinarit nuk dha rezultate drejtë një zgjidhjeje. Kjo ngjalli dyshimet se ky proces po shkon drejt dështimit, pasi palët nuk po arrijnë pajtueshmëri mbi një propozim të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak.

Zëdhësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për çështjen e dinarit varen nga aftësia e të dyja palëve.

“Rezultati i bisedimeve të vazhdueshme varet vetëm nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, tha Stano.

Menjëherë pas takimeve kryenegociatorët dhanë qëndrimet e tyre.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, takimin e kishte quajtur “të kotë dhe pa rezultate”. Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë,Petar Petkoviq, tha se Serbia “bëri gjithçka për të gjetur zgjidhje”.

Bisedimet e 18 prillit për dinarin u mbajtën nën tensionin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku Kosova kaloi fazën e dytë me sukses, pavarësisht një fushate agresive të Serbisë kundër Kosovës.

BE-ja ka paralajmëruar shumë shpejt takimin e radhës midis kryenegociatorëve në Bruksel për dinarin.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.

Exit mobile version