UBT News

BE premton kundërmasa të ashpra ndaj tarifave të SHBA-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar sot se tarifat e SHBA-së për çelikun dhe aluminin nuk do të mbeten pa përgjigje dhe se Bashkimi Evropian do të marrë masa të ashpra dhe proporcionale ndaj vendosjes së tyre. Kjo deklaratë ka ardhur si përgjigje ndaj vendosjes së tarifave të reja nga ana e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, vetëm një ditë më parë, që kanë shqetësuar BE-në dhe mund të kenë ndikime të mëdha në tregtinë ndërkombëtare.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e saj, Von der Leyen theksoi se tarifat e vendosura për çelikun dhe aluminin janë një taksë që do të dëmtojnë bizneset dhe konsumatorët, duke shtuar se këto masa janë të papranueshme. Ajo u shpreh se BE do të veprojë për të mbrojtur interesat ekonomike të saj dhe se çdo veprim i njëanshëm, si ai i SHBA-së, nuk do të mbetet pa pasojat e duhura.

“Tarifat janë taksa – të këqija për biznesin, dhe më të keqija për konsumatorët”, tha Von der Leyen, duke nënvizuar se BE-ja nuk do të tolerojë vendosjen e tarifave të pajustifikuara ndaj shteteve anëtare të bllokut.

Po ashtu, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e përkrah këtë qëndrim dhe theksoi se nëse SHBA-ja nuk lë mundësi për një zgjidhje të negociuar, Bashkimi Evropian do të reagojë i bashkuar. “Luftërat tregtare gjithmonë i kushtojnë të dyja palëve prosperitet”, tha Scholz, duke paralajmëruar se një përplasje e mundshme në tregti mund të ketë pasoja për të dyja palët.

Vendimi i Trump për të vendosur tarifa prej 25% për çelikun dhe aluminin e huaj ka për qëllim të mbrojë industrinë e prodhuesve amerikanë nga konkurrenca e ashpër globale. Megjithatë, ky veprim ka nxitur reagime të ashpra nga partnerët e SHBA-së, përfshirë Bashkimin Evropian, që e konsideron këtë masë si një pengesë për tregtinë e lirë dhe një kërcënim për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në të kaluarën, tarifat e ngjashme ishin vendosur nga Trump gjatë administratës së tij të parë, por ato kishin ndikuar negativisht në marrëdhëniet me aleatët kryesorë të SHBA-së dhe kishin rritur kostot për kompanitë që varen nga importi i çelikut dhe aluminin. Pas kësaj, presidenti aktual do të duhet të përballet me pasojat e këtyre masave dhe me reagimet e mundshme nga BE dhe vendet e tjera./UBTNews/

Exit mobile version