Sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë tregojnë edhe një herë se Moska nuk është e interesuar për paqen dhe për këtë arsye është e nevojshme të rritet presioni, deklaroi kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
”Po punojmë për sanksione që mund ta paralizojnë vërtet ekonominë ruse”, thekojnë burime nga BE.
Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me sanksione të mëtejshme kundër Rusisë duke shprehur zhgënjimin e tij për bombardimin e Ukrainës nga Rusia.
Trump u tha gazetarëve se “nuk ishte i kënaqur me atë që po bën Putini” dhe u përgjigj “absolutisht” kur u pyet nëse po shqyrtonte sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.
“Ai po vret shumë njerëz dhe nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit”, theksoi Trump.
“E njoh prej kohësh, gjithmonë kam shkuar mirë me të, por ai po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz dhe kjo nuk më pëlqen aspak”, shtoi ai.
“Jemi në mes të negociatave dhe ai po lëshon raketa në Kiev dhe qytete të tjera. Nuk më pëlqen aspak. Dhe jam i befasuar. Jam shumë i befasuar prej tij”, shtoi ai.