Shefja e Menaxhimit të Krizave të Bashkimit Evropian, Hadja Lahbib, njoftoi sot një paketë ndihme humanitare me vlerë 235 milionë euro (242 milionë dollarë) për Sirinë dhe vendet fqinje. Kjo është vizita e parë e Lahbib në Siri pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Asaad, dhe paketa e ndihmës synon të mbështesë nevojat themelore të popullatës, përfshirë strehimin, ushqimin, ujin e pastër, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe urgjencat.
Lahbib theksoi se kjo ndihmë është një dëshmi e angazhimit të Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë popullit sirian në këtë periudhë të pasigurisë dhe sfidave të shumta. Pas takimit me liderin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ajo u shpreh se financimi do të ndihmojë në përballimin e krizës humanitare që ka pllakosur vendin.
Lideri i ri i Sirisë, i cili është udhëheqës i grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e udhëhoqi ofensivën që rrëzoi regjimin e Asaad më 8 dhjetor. Lahbib foli për rëndësinë e krijimit të një të ardhmeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për sirianët, duke theksuar se çdo qytetar ka të drejtë të kontribuojë për rindërtimin e vendit. Ajo bëri thirrje për vendime të mençura dhe të përgjegjshme, pasi sipas saj, ditët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të ardhmen e Sirisë./UBTNews/