UBT News

BE nis hetim ndaj TikTok-ut!

Bashkimi Evropian (BE) ka hapur një hetim ndaj platformës kineze të rrjeteve sociale, TikTok, pas akuzave se Rusia mund të ketë përdorur këtë platformë për të ndikuar në rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, ku fitoi një kandidat miqësor me Moskën. Kandidati i pavarur, Calin Georgescu, i panjohur për shumicën, fitoi një rezultat befasues në zgjedhjet e 24 nëntorit, duke marrë rreth 23 përqind të votave.

Georgescu pritej të përballej me kandidaten proevropiane, Elena Lasconi, në balotazhin e 8 dhjetorit, por pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Rumanisë publikoi dokumente të klasifikuara që sugjeronin ndërhyrjen e një “aktorit shtetëror”, të cilit i ishte drejtuar gishtin, por që nuk ishte identifikuar për emër, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi rundin e parë dhe urdhëroi që zgjedhjet të zhvillohen përsëri. Kjo ka çuar në shtyrjen e afatit të mandatit të presidentit aktual, Klaus Iohannis, edhe pse mandati i tij përfundoi këtë muaj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar më 17 dhjetor se BE po heton seriozisht mundësinë që TikTok të ketë shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale, duke mos trajtuar siç duhet kërcënimet që mund të shkaktonin ndikime të jashtme në zgjedhjet e Rumanisë. Ajo shtoi se Komisioni do të vazhdojë mbledhjen e provave, përfshirë dërgimin e kërkesave për informacion, intervista, inspektime dhe kërkesa për qasje në algoritmet e platformës.

Në 5 dhjetor, BE ka urdhëruar TikTok-un të ruajë të dhënat dhe informacionet që lidhen me “rreziqet sistematike”, që mund të ndikojnë në zgjedhjet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së, deri në mars të vitit 2025. TikTok tani është i detyruar të ofrojë dokumentet e nevojshme për të respektuar këtë urdhër.

Ky veprim i BE-së pason një reagim të fortë nga senatorët amerikanë, të cilët e dënuan ndikimin e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Rumani. Ata theksuan se manipulimi i zgjedhjeve përmes TikTok-ut, i kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze, është pjesë e një strategjie të luftës hibride që po zhvillohet nga Vladimir Putin kundër aleatëve dhe partnerëve evropianë./UBTNews/

 

 

Exit mobile version