Bashkimi Evropian është kritikuar për vendimin për të pezulluar sanksionet ndaj qeverisë izraelite, pas përpjekjeve të Donald Trump për paqe në Lindjen e Mesme, ndërsa armëpushimi mbetet i brishtë.
Pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së, shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, njoftoi se BE do të ndalë përkohësisht planet për të pezulluar tregtinë preferenciale me Izraelin dhe për të vendosur sanksione ndaj personave përgjegjës për nxitjen e konfliktit.
Ajo tha se situata ka ndryshuar dhe se masat nuk hiqen nga tryeza, por nuk zbatohen tani.
Ish-përfaqësuesi i BE-së në territoret palestineze, Sven Kuhn von Burgsdorff, kritikoi vendimin duke thënë se sanksionet janë një mjet ligjor për t’iu përgjigjur shkeljeve të ligjit ndërkombëtar.
Sipas The Guardian, ai kujtoi se BE-ja kishte përfunduar në qershor se Izraeli kishte shkelur detyrimet për të drejtat e njeriut dhe duhet të respektojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare që kërkon përfundimin e pushtimit të territoreve palestineze. 414 ish-diplomatë dhe zyrtarë të BE-së nënshkruan një deklaratë duke kërkuar veprim të fortë kundër ekstremistëve në të dyja anët.
Ish-këshilltarja e BE-së, Nathalie Tocci, paralajmëroi se heqja dorë nga sanksionet do të ishte “gabimi më i madh”, pasi është momenti për të mbajtur presionin, ndërsa plani i Trump është ende i pasigurt.
BE-ja mbetet e ndarë mes vendeve pro-palestineze, si Spanja e Irlanda, dhe atyre që mbështesin Izraelin, si Hungaria e Çekia. Megjithatë, protestat masive në Evropë kanë nxitur kërkesa për veprim më të ashpër kundër Izraelit.
Zyrtarët e BE-së duan që blloku të përfshihet në bordin e paqes të Trumpit dhe të ndihmojë në rindërtimin e Gazës, që mund të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë.
Një mandat i fortë i OKB-së pritet të mundësojë dërgimin e trupave ndërkombëtare, me Egjiptin në krye./S.K/KP/