Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime të thella lidhur me vizitën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, në Rusi dhe takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin. Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, deklaroi se kjo vizitë është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE.
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Stano ngriti pyetjen e rëndësishme: “Në emër të kujt flet Vulin?” Kjo pyetje erdhi pas përsëritjes së qëllimit strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo forcohen raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i raporteve me Rusinë. Të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë duhet të ndjekin qëllimin e integrimit në BE,” tha Stano.
Ai shprehu shqetësim për sjelljen e Vulinit, duke e përshkruar si një veprim që shkon në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për t’u integruar në BE. Stano theksoi se këto veprime të Vulinit, të cilat përfshijnë vizita të shpeshta në Rusi, përbëjnë një sfidë për përpjekjet e Serbisë për të avancuar në procesin e integrimit evropian.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka qenë më i rezervuar në lidhje me pasoja të mundshme për pagesat nga plani i rritjes ekonomike për Ballkanin. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim, Ana Pisonero, tha se përparimi në përshtatjen e vendeve të rajonit me politikën e jashtme të BE-së është një kusht i rëndësishëm për pagesat.
“Komisioni po i analizon agjendat e reformave që i kanë dërguar vendet e rajonit. Para pagesave, do të konsultohemi me vendet anëtare. Agjendat e reformave duhet të përfshijnë hapa për përparimin në përshtatjen me politikën e jashtme të BE-së,” shpjegoi Pisonero.
Gjatë takimit me Putin, Vulin theksoi se Serbia nuk do të mbështesë masat e BE-së kundër Rusisë, një qëndrim që thellon më tej shqetësimet në Bruksel./UBTNews/