Bashkimi Evropian ka miratuar sot një paketë ndihme prej 10 milionë eurosh për ushtrinë armene, në një hap historik për t’i ofruar mbështetje zyrtare Erevanit përmes Fondit Evropian të Paqes. Kjo është hera e parë që blloku prej 27 anëtarësh vendos të ndihmojë Armeninë në këtë mënyrë.
Këshilli i BE-së konfirmoi miratimin e ndihmës duke thënë: “Sot, Këshilli miratoi një masë ndihme në kuadër të Fondit Evropian të Paqes (EPF) në mbështetje të Forcave të Armatosura të Republikës së Armenisë me vlerë 10 milionë euro”.
Paketa e ndihmës do të përdoret për të forcuar kapacitetet logjistike të ushtrisë armene dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e civilëve në raste krizash dhe emergjencash. Qëllimi i saj është gjithashtu të rrisë qëndrueshmërinë e Armenisë dhe të përgatisë forcën e armatosur për të marrë pjesë në misione dhe operacione ushtarake ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, shprehu vlerësimin për këtë ndihmë të BE-së dhe theksoi qëllimin e Bashkimit Evropian për të nisur bisedimet për liberalizimin e vizave me Erevanin.
Pas humbjes së saj në konfliktin e fundit të Karabakut në 2020, Armenia ka kërkuar mbështetje të rritur nga Perëndimi për fuqinë e saj ushtarake, duke u distancuar nga strukturat rajonale./UBTNews/