Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur tranzicionin pa probleme të pushtetit në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në reagimin e BE-së thuhet se ky është një hap i rëndësishëm drejt një angazhimi konstruktiv në të ardhmen.
“Sot, në 20 komuna të Kosovës, kuvendet komunale dhe kryetarët e rinj morën detyrën pas zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse. Bashkimi Evropian në Kosovë mirëpret dorëzimin e qetë të pushtetit komunal, përfshirë edhe në katër komunat veriore. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një angazhimi konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në reagim.
Milan Radojeviq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.
Milosh Peroviq po ashtu e ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin-Potokut. Peroviqi në betimin e tij u shpreh se do ta ushtroj detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut kushte më të mira.
Është betuar edhe kryetari i ri i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq. Ai ka thënë se përpara i presin sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë.
“Pas 3 viteve kjo ditë është solemne. Kuvendi po merr përfaqësuesit legjitim në kuvend. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë qytetarët tanë që kanë dhënë për neve. Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq pas betimit.
Zoran Todiq është betuar si kryetar i ri i Leposaviqit.
Në sallat ku është bërë betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se gjithçka është zhvilluar në rregull dhe në përputhje me dispozitat nga Kushtetuta e Kosovës në konstituimet e kuvendeve komunale, përfshirë ato në veri.
“Gjithçka po zhvillohet në rregull dhe në përputhje me dispozitat që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./EO
