Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel të mërkurën deklaroi se Bashkimi Evropian mirëpriti procesin e vazhdueshëm të dialogut midis qeverive të Egjiptit dhe Turqisë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel të mërkurën deklaroi se Bashkimi Evropian mirëpriti procesin e vazhdueshëm të dialogut midis qeverive të Egjiptit dhe Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi nga Këshilli, Michel zhvilloi një telefonatë me presidentin egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi dhe të dy diskutuan për lidhjet dypalëshe së bashku me çështjet rajonale, sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor.
Në njoftim thuhet se stabiliteti në Mesdheun Lindor do të ishte në interes të BE-së dhe BE-ja mirëpriti dialogun midis Ankarasë dhe Kajros.
Michel dhe Al-Sisi po ashtu trajtuan procesin e paqes në Lindjen e Mesme, duke e falënderuar këtë të fundit për përpjekjet e armëpushimit në kontekstin e Izraelit dhe grupit palestinez të rezistencës Hamas.
Gjithashtu, të dy udhëheqësit theksuan se stabiliteti në Libinë e lodhur nga lufta do t’i shërbente interesave të të dy vendeve dhe është e rëndësishme të mbështetej qeveria e unitetit kombëtar të Libisë.