Komisioni Europian ka miratuar një ndihmë financiare prej 500 milionë eurosh për Libanin, si pjesë e një pake të gjerë prej 1 miliardë eurosh të shpallur nga presidentja von der Leyen gjatë vizitës së saj në Bejrut në maj 2024.
Paketa financiare është paraparë për të ndihmuar Libanin në reformat e brendshme, sektorin e sigurisë, menaxhimin e kufijve, aktivitetin ekonomik dhe për të mbështetur njerëzit më vulnerabël në vend. Kjo iniciativë vjen në kontekstin e rritjes së tensioneve rajonale dhe një nevoje të përbashkët për stabilizim.
Kjo ndihmë financiare është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Bashkimit Europian për të mbështetur Libanin, me një total prej mbi 3 miliardë eurosh në ndihmë dypalëshe që nga viti 2011.
Detajet e mëtejshme të paketës së ndihmës dhe përdorimi i fondeve pritet të përcaktohen në bashkëpunim me autoritetet dhe organizatat relevante në Liban./UBTNews/