UBT News

BE me rregulla strikte për kompanitë e mëdha teknologjike

Kompanitë e mëdha të teknologjisë, ndaj të cilave Bashkimi Evropian (BE) do të zbatojë rregulla strikte mes tjerash janë Google, Apple, Meta dhe Microsoft.

Anëtari i Komisionit Evropian (KE), Thuerry Breton, në njoftimin e bërë në rrjetet sociale, tregoi për kompanitë që plotësojnë kriteret e “portierit” sipas Ligjit të Tregjeve Dixhitale.

“Alphabet, Amazon, Apple, ByteDance, Meta, Microsoft dhe Samsung kanë njoftuar KE-në se kanë përmbushur kufirin e ‘portierit’ sipas Ligjit të Tregjeve Dixhitale”, tha Breton duke shtuar se BE-ja pas përfundimit të procesit të evaluimit listën zyrtare do ta bëjë të ditur më 6 shtator.

– Rreth rregullave

Sipas ligjit të BE-së, i cili u miratua vitin e kaluar dhe do të shkaktojë ndryshime në aktivitetet e platformave dixhitale, do të zbatohen rregulla të reja për të kufizuar fuqinë e tregut të platformave dixhitale veçanërisht të atyre të mëdha.

Në kuadër të kësaj, platformat e mëdha që operojnë në Evropë me një vlerë tregu prej të paktën 75 miliardë euro dhe që arrijnë mbi 45 milionë përdorues do të quhen “gatekeepers” (portierë).

Këto kompani teknologjike dhe platforma dixhitale do t’i nënshtrohen rregullave më të rrepta se të tjerat. Masat për të parandaluar konkurrencën e padrejtë të kompanive në sektorët e tyre do të hyjnë në fuqi.

Sipas ligjit, shërbimet e ndryshme të mesazheve në këto kompani do të duhet të jenë të ndërveprueshme. Platformat e mëdha do të pengohen të vendosin shërbimet e tyre të ndryshme përpara shërbimeve të ngjashme të konkurrentëve të tyre.

Përdoruesit nuk do të parandalohen të çinstalojnë softuerin ose aplikacionet e instaluara më parë. Disa aktivitete të kompanive të mëdha mund të ndërpriten nëse nuk janë në përputhje me rregullat e përcaktuara të tregut.

Kompanitë në pozicionin e “portierit” mund të gjobiten deri në 10 për qind të xhiros së tyre globale nëse shkelin rregullat. Planifikohet që rregullat e reja të zbatohen në mars të vitit 2024. /AA/

Exit mobile version