UBT News

​BE: Kurti e Vuçiq do të takohen ndaras me krerët evropianë në Bruksel

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi Stano në një konferencë për media theksoi se më 26 tetor në kryqendrën evropiane në Bruksel, do të jenë kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, por do të kenë takime të ndara me liderë të caktuar të BE-së.

“Mund të konfirmoj vetëm në emër të Përfaqësuesit të Lartë se sigurisht që ai do t’i informojë liderët për situatën në dialogun Beograd-Prishtinë, marrëdhëniet Serbi-Kosovë, siç ishte rasti gjatë gjithë Këshillit të mëparshëm Evropian, sepse kjo është një çështje shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian. Dhe, takimet e planifikuara për nesër, janë vazhdim i vizitës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak në Beograd dhe Prishtinë gjatë fundjavës, i cili shoqërohej nga këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të liderëve të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe i dërguari special i SHBA-së. Kështu liderët, si presidenti i Serbisë ashtu edhe kryeministri i Kosovës, u ftuan në Bruksel për të ardhur në një sërë takimesh individuale me liderë të caktuar të BE-së”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së theksoi po ashtu se presin që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga dialogu, të fillojnë menjëherë dhe pa kushte të punojnë për de-përshkallëzimin ose të vazhdojnë punën për de-përshkallëzim.

Exit mobile version