Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka kërkuar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin në sinkron sa i përket realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.
Sipas saj, është e rëndësishme të mos krijohen hendeqe mes gjashtë vendeve të rajonit, derisa tha se muaji qershor i vitit 2026 është një afat i rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes, pasi skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
Kos, në konferencë për media pas përfundimit të samitit rajonal për Planin e Rritjes që u mbajt të premten në Tiranë, tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat e unionit.
“Objektivi ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam që të krijohen hendeqe të reja mes jush gjashtë vendeve të rajonit. Në fund të fundit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe duhet të jenë pjesë e tij. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat. Le të përqendrohemi sot në mënyrën sesi të përshpejtojmë punën… Në qershor do të kemi skadimin e periudhës tranzitore njëvjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit. Për këtë arsye i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë më fort për reformat”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se samiti i sotëm ishte i frytshëm, duke konfirmuar se Plani i Rritjes është një urë e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian.
“Sot mund të them se kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Evropian. Duke konfirmuar përsëri se Plani i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, deklaroi Rama.
Pjesë e samitit ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Kosova ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, pasi disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por të cilat, për shkak të krizës politike në Kosovë, nuk u miratuan në legjislativ.
Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata./KP
