Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka premtuar rritjen e ndihmës ushtarake për Moldavinë, teksa në rajonin separatist të mbështetur nga Moska, Transdniester, janë raportuar disa incidente që çuan në akuzat ndaj Rusisë se po dëshiron që ta destabilizojë këtë shtet ish-sovjetik dhe ta përfshijë në luftën e saj kundër Ukrainës.
“Këtë vit planifikojmë të rrisim ndjeshëm mbështetjen tonë për Moldavinë, duke i ofruar forcave të saj të armatosura pajisje shtesë ushtarake”, tha Michel gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten moldave, Maia Sandu.
Gjatë kësaj konference më 4 maj në Moldavi, ai nuk dha më shumë detaje për këtë çështje.
Michel po ashtu u zotua që ta mbështesë Moldavinë kundër sulmeve kibernetike dhe dezinformatave, duke shtuar se shmangia e përshkallëzimit të tensioneve në Transdniester është e një rëndësie të veçantë.
“Ne duhet të mbajmë stabilitetin”, tha Michel, duke shtuar se 27 shtetet e bllokut evropian kanë përgjegjësi për t’i ndihmuar Moldavisë gjatë luftës në shtetin e saj fqinj, Ukrainë.
“BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me ju, me Moldavinë, në detyrat e saj evropiane për të ndihmuar dhe mbështetur shtetin tuaj”, tha Michel.
Moldavia ka parë një fluks të qindra-mijëra refugjatëve ukrainas që prej nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës më 24 shkurt. Michel tha se BE-ja do ta mbështesë Moldavinë “për t’u përballur me pasojat e agresionit rus në Ukrainë”.
“Ne do të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me ju dhe për të sjellë shtetin tuaj më afër BE-së”, tha Michel.
Ndërkaq, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se shteti i saj ka plane për “skenarë pesimistë”, por shtoi se “ne nuk shohim asnjë rrezik të menjëhershëm tani për tani”. Ajo tha se incidentet në Transdniester janë “gjeneruar nga forcat pro luftës” dhe se “ne po tentojmë të dekurajojmë incidente të tilla”.
Javën e kaluar, autoritetet në Transdniester thanë se ka pasur shpërthime në Ministrinë e Sigurisë, në një njësi ushtarake dhe në një kullë të një radioje në pronësi ruse, ndërkaq të shtëna janë dëgjuar në një fshat ku gjendet një depo e armëve ruse. Moska i quajti këto incidente si “veprime terroriste”.
Ukraina ka thënë se Rusia dëshiron të destabilizojë rajonin dhe të krijojë pretekst për ndërhyrje ushtrake.
Rajoni i Transdniester është një rrip i ngushtë toke midis Moldavisë dhe Ukrainës. Ky rajon ka shpallur pavarësinë nga Moldavia më 1990. Të dy palët kanë zhvilluar një luftë të shkurtër më 1992, që ka përfunduar me ndërhyrjen e trupave ruse në anën e separatistëve. Rusia ende ka afër 1,500 ushtarë në këtë rajon separatist./REL