Bashkimi Evropian e ka përsëritur kërkesën që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka folur për Radio Evropa e Lirë lidhur me kushtet që i ka përmendur kryeministri Albin Kurti për themelimin e Asociacionit, duke thënë se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”.
Stano e ka përsëritur “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.
Të enjten Kurti zbuloi gjashtë kushtet që ky asociacion të formohet, duke thënë që ai nuk mund të jetë njëetnik, që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ta ketë një emër tjetër, mos ketë kompetenca ekzekutive, si dhe ta ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Kryeministri po ashtu ka kërkuar heqjen e strukturave ilegale në Veri të Kosovës, dorëzimin e armëve, tërheqjen e letrave që Serbia ua ka dërguar pesë shteteve të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.
Ai po ashtu ka kërkuar që Asociacioni të përfshihet në një marrëveshje finale me Serbinë, dhe të hyjë në fuqi pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën.