Këshilli i BE-së arriti sot një marrëveshje politike për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të Fondit Evropian të Paqes duke rritur kufirin e sipërm të fondit me dy miliardë euro në vitin 2023, me mundësinë e rritjeve të mëtejshme në një fazë të mëvonshme.
Rritja totale e tavanit financiar të këtij fondi deri në vitin 2027 do të ishte deri në 5.5 miliardë euro. Këshilli saktëson se 86 për qind e totalit të kufirit të sipërm financiar të fondit midis 2021 dhe 2027 është shpenzuar tashmë në vitin 2022, prandaj është e nevojshme një rritje e re.
“Vendimi i sotëm do të na lejojë të kemi mjetet për të vazhduar ofrimin e mbështetjes konkrete ushtarake për forcat e armatosura të partnerëve tanë. Në më pak se dy vjet, Fondi Evropian i Paqes ka dëshmuar vlerën e tij. Ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si ne mbështesim partnerët tanë të mbrojtjes. Kjo e bën BE-në dhe partnerët e saj më të fortë”, tha Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.
Marrëveshja do të zyrtarizohet në fillim të vitit 2023. Ky vendim dërgon një sinjal të qartë politik të përkushtimit të BE-së për mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe partnerët e tjerë, njoftoi Këshilli i BE-së.
Këshilli thekson se “Fondi Evropian i Paqes u krijua në mars 2021 për të financuar të gjitha veprimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes, me qëllim parandalimin e konflikteve, ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar” dhe mundëson BE-ja “të financojë veprimet e dizajnuara për të forcuar kapacitetet e vendeve joanëtare të BE-së dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes”.
Deri më tani, BE-ja ka mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës, si dhe vende të tjera, duke përfshirë Mozambikun, Gjeorgjinë, Moldavinë, Malin, Somalinë, Nigerin, Bosnje dhe Hercegovinën, Libanin dhe Mauritaninë, si dhe disa operacione të mbështetjes së paqes.