Varshava e konfirmoi se emigrantët e bllokuar në Bjellorusi bënë përpjekje të shumta për të hyrë në Poloni gjatë natës duke njoftuar se kishte përforcuar kufirin, ndërsa Bashkimi Evropian përgatitet të vendosë sanksione ndaj Bjellorusisë për shkak të krizës së krijuar, përcjell UBT News.
BE-ja akuzon Bjellorusinë për inkurajimin e emigrantëve – nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika – që të përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e mëparshme të vendosura ndaj Minskut për shkeljet e të drejtave të njeriut.
Lukashenko ka mohuar përdorimin e emigrantëve si armë.
Mijëra njerëz janë mbledhur në kufi këtë javë, ku gardhet me tela dhe ushtarët polakë kanë bllokuar vazhdimisht hyrjen e tyre. Disa nga emigrantët kanë vdekur nga hipotermia, ndërsa të tjerët kanë ngecur në të ftohtë me pak ushqim.
“Nuk ishte një natë e qetë. Në të vërtetë, ka pasur shumë përpjekje për të thyer kufirin polak”, tha ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak për transmetuesin PR1, transmeton UBT News.
Shërbimi i rojeve kufitare polake raportoi 599 përpjekje për kalim të paligjshëm të kufirit të martën, me 9 persona të ndaluar dhe 48 të kthyer mbrapsht.
Pas mesnate, dy grupe emigrantësh janë kthyer mbrapsht. Një që ishte rreth 200 njerëz pranë qytetit të Bialowieza dhe një tjetër prej rreth dy duzina u kthye prapa pranë Dubicze, tha një zëdhënëse për Reuters.
Shteti fqinj i BE-së, Lituania, e cila ndoqi hapat e Polonisë duke vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e saj të martën, raportoi se 281 migrantë u kthyen mbrapsht atë ditë, shifra më e lartë që nga gushti.
Qeveria e Lukashenkos fajëson Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për gjendjen e vështirë të njerëzve të bllokuar në kufi. Rusia të mërkurën akuzoi BE-në për dështimin në ruajtjen e vlerave të veta humanitare.
Kriza shpërtheu pasi BE, Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën sanksione ndaj Bjellorusisë për shtypjen e dhunshme të protestave masive në rrugë që u nxitën nga fitorja e diskutueshme e zgjedhjeve të Lukashenkos në 2020./UBTNews/