UBT News

BE-ja ofron ndihmë për Libinë e goditur nga përmbytjet

Bashkimi Evropian ofroi ndihmë të martën për Libinë, ku përmbytjet katastrofike pas stuhisë Daniel kanë vrarë të paktën 5 mijë e 300 njerëz.

“Imazhe rrëqethëse nga Libia pas vdekjeve dhe shkatërrimeve të shkaktuara nga përmbytjet, veçanërisht në lindje të vendit”, shkroi presidenti i Këshillit, Evropian Charles Michel në X dhe shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” të BE-së për popullin libian dhe familjet e viktimave.

“BE është e gatshme të ndihmojë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi”, shtoi ai.

Udhëheqësit e Francës dhe Italisë, Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni, shprehën gjithashtu solidaritet me libianët, duke thënë se ata mobilizuan burime për të ndihmuar njerëzit në vendin e Afrikës së Veriut, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se qeveria e tij “po ndiqte me kujdes pasojat e përmbytjeve në Libi”, duke shtuar se Italia ishte në kontakt me autoritetet libiane.

Asnjë italian nuk ishte prekur deri më tani, shtoi ai.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto tha se Roma i ofroi ndihmë të menjëhershme Libisë, si dhe Marokut të goditur nga tërmeti.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares shprehu gjithashtu solidaritet me popullin libian.

“Shkatërrimi që shohim na kujton rëndësinë e luftimit të krizës klimatike për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis shkroi në X se “Lituania, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, është e gatshme të ndihmojë Libinë në përpjekjet e rimëkëmbjes”.

Një tjetër ofertë ndihme erdhi nga Polonia, me Ministrinë e Jashtme të vendit duke thënë se Varshava është “thellësisht e shqetësuar” nga shkalla dhe pasojat tragjike të përmbytjeve.

“Polonia është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme humanitare”, thanë nga ministria.

Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen dhe Ministria e Jashtme e Letonisë shprehën gjithashtu dhimbjen dhe shprehën ngushëllime popullit të Libisë.

Shirat e rrëmbyeshëm nga cikloni i fuqishëm përfshinë disa zona të Libisë lindore të dielën, veçanërisht qytetet Bengazi, Al Bayda dhe Al-Marj, si dhe Soussa dhe Derna.

Abdul Hamid Dbeibeh, kreu i qeverisë së unitetit të Libisë me bazë në Tripoli, i shpalli të gjitha zonat të ekspozuara ndaj stuhisë dhe përmbytjeve zona të fatkeqësisë.

Autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, e cila përfshinte pezullimin e orëve të mësimit në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private dhe mbylljen e dyqaneve dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare.

Exit mobile version