Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se siguria e Evropës nuk mund të konceptohet pa përfshirjen e Turqisë, duke e cilësuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një prioritet strategjik për vendin e tij.
“Turqia e konsideron procesin e anëtarësimit në BE si një objektiv strategjik, pasi është një pjesë e pandashme e Evropës,” tha Erdogan gjatë një iftari të organizuar me ambasadorët e huaj në Ankara.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e Turqisë në arenën globale, duke argumentuar se “po bëhet gjithnjë e më e pamundur që Evropa të funksionojë si një aktor global pa zënë Turqinë vendin që i takon.”
Në vijim të fjalës së tij, presidenti turk paralajmëroi se Izraeli nuk do të arrijë stabilitetin e kërkuar pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me kufij të përcaktuar sipas vitit 1967 dhe me integritet të plotë territorial.
“Sikur të mos mjaftonin thirrjet për aneksimin e Bregut Perëndimor, ministrat e qeverisë izraelite po luajnë me zjarrin përmes provokimeve që synojnë xhaminë Al-Aksa,” theksoi Erdogan, duke shtuar se kjo është një “vijë e kuqe” për Türkiyen.
Presidenti turk gjithashtu ngriti çështjen e përfaqësimit të muslimanëve në proceset vendimmarrëse globale, duke theksuar se ata duhet të kenë një rol më të madh në institucionet ndërkombëtare.
“Muslimanët, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së botës, duhet të përfaqësohen në proceset globale të vendimmarrjes ashtu siç e meritojnë,” tha ai.
Duke iu referuar iniciativës së tij të njohur “Bota është më e madhe se pesë”, Erdogan përsëriti domosdoshmërinë e reformimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar përfshirjen e një vendi islam me të drejtën e vetos.
“Të kesh një vend islam me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk është më vetëm një nevojë, por një domosdoshmëri,” përfundoi ai.