Komisioni Evropian ka investuar 40 milionë euro shtesë në Fondin Evropian për Evropën Juglindore për të ndihmuar luftën kundër efekteve ekonomike të pandemisë së koronavirusit në Ballkanin Perëndimor dhe në Rajonin e Fqinjësisë Lindore të BE-së.
Mjetet kapitale do të përdoren për forcimin e aftësisë së institucioneve financiare lokale për t’i përkrahur ndërmarrjet e vogla për tejkalimin e sfidave të krizës.
“Ndërmarrjet e vogla luajnë një rol të rëndësishëm në gjenerimin e të ardhurave dhe krijimin e vendeve të punës në këto rajone. Sidoqoftë, shumica e ndërmarrësve në Ballkanin Perëndimor dhe në Fqinjësinë Lindore të BE-së kanë raportuar pasoja të ashpra negative në bizneset e tyre nga përhapja e koronavirusit, përfshirë pezullimin e operimit dhe rënien drastike në të ardhura”, thuhet në deklaratën e këtij fondi.
Fondi Evropian për Evropën Juglindore gjatë vitit të kaluar financoi 66 institucione financiare në këtë pjesë të kontinentit dhe i lehtësoi 40 mijë hua të reja për ndërmarrësit dhe amvisëritë, duke ndihmuar në ruajtjen e mbi 91 mijë vendeve të punës.
Për t’i përkrahur këto përpjekje, BE-ja ka ndarë 40 milionë euro shtesë për fondin në fjalë. Bashkimi Evropian ka qenë investues në këtë fond që nga themelimi i tij më 2005, thuhet më tej në njoftim.
Fondet e reja të BE-së do të kontribuojnë që institucioneve financiare në rajonin e Evropës Juglindore të kenë rrugë për ta vazhduar shërbimin ndaj ndërmarrjeve të vogla. Një shumë e konsiderueshme e mjeteve janë caktuar posaçërisht për financim në valutat lokale, duke ofruar nivel shtesë të sigurisë për t’i mbrojtur huamarrësit nga rreziku i shkallës së valutës.