Bashkimi Evropian miratoi sot një tjetër ndihmë ushtarake prej 545 milionë eurosh për Ukrainën, duke e çuar mbështetjen totale për ushtrinë ukrainase në 3,6 miliardë euro, transmeton Anadolu.
Vendet anëtare të BE-së dhanë dritën jeshile për paketën e shtatë prej 500 milionë eurosh në kuadër të Lehtësimit Evropian të Paqes, njoftoi Këshilli i Bashkimit Evropian në një deklaratë për shtyp.
“BE-ja po rrit mbështetjen e saj për Ukrainën për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe për të mbrojtur popullsinë civile kundër luftës së vazhdueshme ruse të agresionit”, thuhet në dokument.
Vendimi erdhi përpara samitit të 24-të BE-Ukrainë, i cili do të zhvillohet të premten në kryeqytetin ukrainas Kiev.
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe 15 komisionerë të BE-së, përfshirë shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kanë mbërritur tashmë në Kiev për të zhvilluar bisedime me homologët e tyre nga qeveria ukrainase.
Përveç mbështetjes prej 500 milionë eurosh, shtetet anëtare të BE-së miratuan gjithashtu një “masë të re ndihme prej 45 milionë eurosh që mbështet përpjekjet stërvitore të Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.
Fondi i ri do të mbulojë pajisjet jovdekjeprurëse, furnizimet dhe shërbimet për ushtarët ukrainas të trajnuar nga BE-ja.
Sipas informacioneve të marra nga Anadolu, Borrell pritet të shpallë një objektiv të ri për misionin e trajnimit ushtarak të BE-së, ku do të përfshihen 15.000 ushtarë, krahas 15.000 trupave aktuale.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë ofruar 50 miliardë euro në mbështetje të drejtpërdrejtë për Ukrainën.
Ajo përfshin afërsisht 12 miliardë euro ndihmë ushtarake, e cila përbëhet nga 3,6 miliardë euro në fonde të BE-së në kuadër të Lehtësimit Evropian të Paqes dhe mbështetje dypalëshe nga shtetet e saj anëtare./AA