Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se në takimin e zhvilluar me Këshillin Prokurorial të Kosovës, u është bërë thirrje të gjithë anëtarëve të tij t’i zbatojnë plotësisht reformat e KPK-së.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo zyrë, thuhet se shteti ligjor është parakusht thelbësor për Bashkimin Evropian.
“Zyra e BE-së në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të tij që të zbatojnë plotësisht dhe së bashku reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të mbrojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Pas shkarkimit të u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe përplasjeve brenda KPK-së, Zyra e BE-së dje ka kërkuar takim urgjent me të gjithë anëtarët.
Ndërsa tri organizata të shoqërisë civile kanë paralajmëruar për rritje të rrezikut të kundërligjshmërisë në KPK.
Për këtë arsye ato kanë kërkuar ndërhyrjen e gjykatës./EO
