Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik të institucioneve.
Palatova është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të veprojnë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit.
Sipas mesazhit të BE-së, pretendimet për sjellje të pahijshme nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës duhet të hetohen, ndërsa çdo veprim duhet të ndërmerret duke respektuar procedurat e rregullta ligjore.
Në të njëjtën ditë, Palatova është pritur në një takim lamtumirës nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Konjufca e ka falënderuar për angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të saj në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në takim është theksuar rëndësia e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe vazhdimit të bashkëpunimit me BE-në në fushat me interes të përbashkët.
Palatova ka përcjellë mesazhin se BE-ja vazhdon ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, ndërsa ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj në këtë proces.
Në fund të takimit, Konjufca i ka uruar Palatovës sukses në angazhimet e saj të ardhshme./A.K/
