UBT News

BE-ja hap “korridor ajror” për të dërguar ndihma në Liban

Bashkimi Evropian tha të mërkurën se kishte nisur një “korridor ajror humanitar” për të dërguar ndihma në Liban, ndërsa luftimet përshkallëzohen midis Izraelit dhe Hezbollahut, grup militant i përkrahur prej Iranit, dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit.

Komisioni Evropian tha se janë planifikuar tre fluturime fillestare për të transportuar ndihma nga Italia dhe Dubai drejt vendit të shkatërruar nga konflikti, me fluturimin e parë që pritet të mbërrijë në Bejrut të premten.

Një avion ushtarak i mbushur me ndihma humanitare për Libanin, nga Katari dhe Franca.

BE-ja qëndron pranë njerëzve të prekur nga kriza në Liban”, shkroi në X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Që nga batanijet deri te pakot e strehimit dhe ilaçet. Më shumë ndihma do të vijnë”.

Javën e kaluar, BE-ja tha se do ta shtonte ndihmën humanitare për Libanin për 30 milionë euro në përgjigje të dhunës në zhvillim.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj bazave të Hezbollahut në Liban që nga 23 shtatori, duke lënë mbi 1.150 të vdekur dhe duke detyruar mbi një milion njerëz të largohen.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë krahun e armatosur, por jo partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Hezbollahu hodhi predha drejt Izraelit të mërkurën dhe tha se kishte penguar inkursionet tokësore, një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se Libani mund të përballet me shkatërrim si Gaza.

Brukseli tha se, që nga java e kaluar, po koordinonte dërgesat e ndihmave për Libanin nga shtetet anëtare Belgjika, Franca, Polonia, Sllovakia dhe Spanja.

 

 

Exit mobile version