Ministrat e mbrojtjes të BE-së do të miratojnë një tjetër ndihmë ushtarake prej 500 milionë eurosh (rreth 524 milionë dollarë) për Ukrainën, tha të martën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Duhet të vazhdojmë t’i mbështesim ukrainasit me armë, prandaj do të tërheqim 500 milionë euro më shumë nga Fondi Evropian i Paqes”, u tha Borrell gazetarëve rrugës për në takimin e ministrave të mbrojtjes të BE-së.
Kësti i ri i mbështetjes ushtarake do të sjellë ndihmën ushtarake të bllokut në dy miliardë euro (2.1 miliardë dollarë).
Borrell shpjegoi se ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë situatën në Mali, si dhe planet për reformimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të bllokut në përgatitjen e samitit të liderëve të BE-së.
“Në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shefi i politikës së jashtme të BE-së aktualisht është duke punuar në një raport që vlerëson se sa duhet të investojë BE-ja për të rritur aftësitë e mbrojtjes përballë kërcënimeve dhe sfidave të reja me të cilat po përballemi”, tha ai.
Ministrat do të diskutojnë zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë, si dhe aplikimin për anëtarësim në NATO të Suedisë dhe Finlandës.
“Të dy vendet do të marrin një mbështetje të fortë nga të gjitha shtetet anëtare sepse kjo rrit unitetin tonë dhe na bën më të fortë”, tha Borrell.
Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Geoana dhe ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksij Reznikov.
BE-ja ka ndarë 1.5 miliardë euro (mbi 1.58 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe ka mobilizuar më shumë se katër miliardë euro ndihmë makro-financiare, ndihmë humanitare dhe mbështetje për vendet e BE-së që strehojnë refugjatë nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Ajo gjithashtu ka miratuar pesë grupe sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar individë, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, si dhe ndalon eksportin e mallrave luksoze dhe importet e qymyrit, dhe duke përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i SWIFT (sistemi ndërkombëtar i pagesave)./UBTNews/