UBT News

BE-ja dështon të arrijë marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore të Rusisë, për ta ndihmuar Ukrainën, pasi Belgjika si vendi ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre fondeve ngriti shqetësime ligjore dhe teknike.

Në një takim të mbajtur në Bruksel më 23 tetor, udhëheqësit kërkuan nga Komisioni Evropian ta vazhdojë punën për një plan për përdorimin e rreth 140 miliardë eurove nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për ta mbështetur Kievin për nevojat e tij ushtarake dhe buxhetore, por disa diplomatë thanë se marrëveshja përfundimtare mbetet ende e paarritshme.

“Udhëheqësit evropianë u zotuan se nevojat financiare të Ukrainës do të mbulohen për dy vjetët e ardhshme”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas samitit.

“Rusia duhet ta marrë këtë mesazh. Ukraina do të ketë burimet financiare që i nevojiten për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, shtoi ai.

Costa theksoi se është e mundur të zgjidhen çështjet teknike për të cilat nevojitet sqarim, për ta bërë të mundur përdorimin e aseteve të ngrira ruse, duke nënvizuar se kjo zgjidhje është e arritshme.

Bashkimi Evropian i ngriu rreth 200 miliardë euro nga asetet e Bankës Qendrore të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Deri më tani, BE-ja ka përdorur vetëm interesin e krijuar nga këto fonde për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër Rusisë.

Moska paralajmëroi më 23 tetor se çdo veprim me asetet ruse pa pëlqimin e saj është i pavlefshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe ajo kontraktuale, si dhe do të nxisë përgjigje të dhimbshme.

Blloku evropian e zhvilloi këtë skemë huaje pasi u përball me trysni për të siguruar ndihmë shtesë për Kievin, për shkak se mbështetja amerikane u ngadalësua pas kthimit të Donald Trumpit në pushtet./S.K/EO/

 

Exit mobile version