Komisioni Evropian (KE) ka vendosur ta dërgojë Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë, duke e konsideruar ligjin e saj kombëtar për “mbrojtjen e sovranitetit” si një shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian. Ky ligj ka për qëllim të luftojë ndikimin e huaj në vend.
Sipas KE-së, ligji themelon një Zyrë për Mbrojtjen e Sovranitetit, e cila ka detyrën të hetojë aktivitete që supozohet se kryhen në interes të shteteve të huaja, organizatave ose individëve, aktivitete që mund të kërcënojnë sovranitetin e Hungarisë.
Komisioni kishte njoftuar Hungarinë për shqetësimet e tij në shkurt të këtij viti, por pasi përgjigja e Hungarisë ishte e papranueshme, në maj u dërgua një opinion zyrtar për të ripërsëritur shqetësimet lidhur me shkeljen e Kartës së BE-së për të drejtat themelore dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave.
Hungaria kishte pretenduar se ligji i saj nuk e cenon ligjin e BE-së dhe se shqetësimet e ngritura ishin të pabaza. Megjithatë, KE-ja tha se shumica e shqetësimeve ende nuk ishin adresuar.
Më 12 dhjetor 2023, Asambleja Kombëtare hungareze miratoi ligjin që i jep fuqi Zyrës për Mbrojtjen e Sovranitetit për të kryer hetime mbi aktivitete që mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve dhe vullnetin e votuesve.
Në preambulë, ligji justifikohet si një përgjigje ndaj “sulmeve të paligjshme ndaj sovranitetit të Hungarisë nga organizata të huaja dhe individë”. Ligji gjithashtu parashikon publikimin e gjetjeve të hetimeve dhe pasoja për entitetet e hetuara.
BE-ja dhe Hungaria kanë pasur përplasje të mëparshme mbi sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT në vend./UBTNews/