Shefi i ndihmës humanitare i Bashkimit Evropian të hënën bëri thirrje për pauza ‘domethënëse’ gjatë luftimeve në Gaza dhe dërgimin urgjent të derivateve për ta mbajtur funksionimin e spitaleve në ato territore.
“Është urgjente për të definuar dhe respektuar pauzat humanitare. Derivatet duhet të depërtojnë. Siç mund ta shihni, mbi gjysma e spitaleve në Rripin e Gazës ndaluan së funksionuari, për shkak të mungesës së derivateve dhe derivatet na duhen urgjentisht”, deklaroi Janez Lenarcic, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave gjatë takimit të ministrave të jashtëm të bllokut në Bruksel.
Thirrja erdhi në periudhën kur betejat midis forcave izraelite dhe Hamasit janë rritur rreth spitalit më të madh të Gazës, që është në fokus të luftës pesëjavore./UBTNews/