Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se kjo mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë në Ukrainë.
Ajo shtoi se Rusia nuk dëshiron paqe, ndaj aleatët e Ukrainës duhet të kontribuojnë që ajo të jetë e përgatitur dhe të mbrojë veten në këtë kohë të vështirë.
“Është e qartë se Rusia nuk dëshiron paqe, dhe për këtë arsye ne duhet ta bëjmë Ukrainën sa më të fortë të jetë e mundur në mënyrë që ta përgatisim atë që të jetë gati të mbrojë veten në këtë kohë shumë, shumë të vështirë. Mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë, dëgjuam se bisedimet në Amerikë ishin të vështira, por produktive”, tha Kaja Kallas.
Deklarata e saj u bë para mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Evropian në Bruksel, ku në fokus është mbështetja për Ukrainën.
Sipas burimeve të CNN, negociatorët në Florida kanë diskutuar një skenar të mundshëm në të cilin Ukrainës do t’i ndalohet t’i bashkohet NATO-s. Sipas kësaj, marrëveshjet e ardhshme do të duhet të negociohen ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës.
Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet të martën me të dërguarin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, në Moskë./EO
