UBT News

BE e shqetësuar për pasojat eventuale të vendimit të BQK-së

Bashkimi Evropian ka reaguar sërish lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, që do të hyjë në fuqi sot, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot nga BE-ja, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian i kushton vëmendje rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet mes tjerash në reagimin e BE-së.

Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se nga 1 shkurti [sot] do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb./UBTNews/

Exit mobile version