Bashkimi Evropian do të synojë eksportet e arit rus në paketën e ardhshme të sanksioneve dhe do të kërkojë të “mbyllë rrugët e daljes” për ata që anashkalojnë paketat e mëparshme të sanksioneve të BE-së, tha të premten një komisioner.
Deri më tani, Bashkimi Evropian ka miratuar gjashtë paketa sanksionesh kundër Rusisë. Paketa e fundit që u miratua në muajin qershor, ndaloi shumicën e importeve të naftës ruse.
BE do të shqyrtojë “mënyrat se si mund të vendosim një regjim sanksioni për arin, i cili është një mall i rëndësishëm për eksportet nga Rusia”, tha në Pragë Maros Sefcovic, nënkryetari i Komisionit Evropian. Ai tha se posa të arrihet marrëveshja, do të publikohet.
Vendimi erdhi pas ndalimit të eksporteve të arit nga Rusia, për të cilin ranë dakord vendet më të industrializuara të botës në një takim të G7 në fund të qershorit./UBTNews/