Komisioni Evropian ka njoftuar një investim prej 4,6 miliardë euro (4,8 miliardë dollarë) për të mbështetur zhvillimin dhe adoptimin e teknologjive që do të kontribuojnë në arritjen e objektivave klimatike të Bashkimit Evropian. Ky fond do të fokusohet në promovimin e teknologjive që çojnë në dekarbonizimin e industrive, duke përfshirë prodhimin e baterive për automjete elektrike, hidrogjenin e rinovueshëm dhe teknologjitë që mbështesin kalimin në një ekonomisë zero-emisionesh.
Nga ky fond, rreth 3,4 miliardë euro do të dedikohen për nxitjen e përdorimit të teknologjive të dekarbonizimit në të gjithë Evropën, përfshirë bateritë e automjeteve elektrike, një hap kyç në përpjekjet për të ulur emisionet e gazrave serë dhe për të nxitur përdorimin e transportit të pastër. Pjesa tjetër, 1,2 miliardë euro, do të përdoret për të stimuluar prodhimin dhe përdorimin e hidrogjenit të rinovueshëm, i cili konsiderohet si një alternativë e pastër dhe e qëndrueshme për energjinë fosile.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera Rodriguez, theksoi se ky investim është pjesë e përkushtimit të BE-së për të arritur objektivat e saj ambiciozë të dekarbonizimit dhe për të mbështetur konkurrencën e industrive evropiane në disa nga sektorët strategjikë më të rëndësishëm. “Komisioni po demonstron përkushtimin e tij për arritjen e objektivave të dekarbonizimit dhe mbështetje për industrinë evropiane, që është një faktor kyç për të përballuar sfidat klimatike të të ardhmes,” tha ajo.
Ky njoftim është një hap tjetër në përpjekjet e BE-së për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050 dhe për të bërë Evropën një lider global në zhvillimin e teknologjive të pastërta dhe të qëndrueshme. Komisioni Evropian theksoi gjithashtu se ky financim do të jepet përmes thirrjeve të ndryshme të hapura për aplikime deri në prill 2025, duke ofruar mundësi financimi për startup-et dhe kompanitë e teknologjisë që po punojnë në zgjidhje inovative për sfidat klimatike.
Paratë për këtë program do të vijnë nga të ardhurat e gjeneruara nga Sistemi i Tregtimit të Emetimeve të BE-së (EU ETS), i cili është një nga mekanizmat kryesorë të bllokut për reduktimin e gazrave serë, dhe përmes sistemit të çmimit të karbonit. Ky fond është një tjetër hap konkret i BE-së për të siguruar mbështetje për industritë e gjelbra dhe për të nxitur zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të pastër./UBTNews/