Bashkimi Evropian njoftoi të hënën se ka krijuar një ekip të përbashkët hetimor me Ukrainën për të hetuar krimet e dyshuara të luftës nga ana ruse dhe krimet kundër njerëzimit, pas imazheve tronditëse të shfaqura nga qyteti i Bucha-s, që vijnë pas tërheqjes së forcave ruse nga zona.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen i ofroi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ngushëllimet e saj për “vrasjet e tmerrshme” që u zbuluan gjatë fundjavës në ato që ajo i përshkroi si “imazhe rrëqethëse” në një njoftim për shtyp.
“Eurojust dhe Europol janë të gatshëm të ndihmojnë”, tha ajo.
“Kam ngarkuar Komisionerin e Drejtësisë, Didier Reynders të ndjekë dhe të kontaktojë me Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës”.
“Komisioni do të sigurojë të gjithë mbështetjen e nevojshme teknike dhe financiare për të gjitha hetimet e udhëhequra nga BE”, tha ajo./UBTNews/