UBT News

BE dhe SHBA të shqetësuara: Po punohet me Kurtin e Vuçiqin për të gjetur zgjidhje politike

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot janë shprehur të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës. BE dhe SHBA u kanë bërë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo kanosjet.

Në deklaratën e përbashkët të SHBA-së dhe BE është potencuar se po punojnë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë, dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, është bërë e ditur në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është potencuar se do të mbështesin punën e Bashkimit Evropian përmes Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

“EULEX-i, në përputhje me mandatin e tij, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitet rajonal, dhe bashkëpunim për të mirën e qytetarëve të tyre”, është bërë e ditur tutje në deklaratë, ku është shtuar se të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë.

Exit mobile version