Deklaratë e përbashkët e Presidentes së Sllovenisë Dr. Nataša Pirc Musar, Kryeministrit të Sllovenisë Dr. Robert Golob dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon:
Sot, më datë 21 qershor, shënojmë 20-vjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik. Në këtë ngjarje historike, Bashkimi Evropian dhe më pas shtetet anëtare dhe kandidatët potencialë nga Ballkani Perëndimor iu përkushtuan njëri-tjetrit. BE-ja u angazhua për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shtetet e rajonit miratuan vlerat e përbashkëta: të demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, solidaritetit dhe ekonomisë së tregut. Konkluzionet e samitit mbeten një premtim i qëndrueshëm për të gjithë ne – BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Slloveninë, si dhe Ballkanin Perëndimor.
Sllovenia vlerëson këtë samit, pasi dha shpresë për stabilizimin e rajonit pas viteve me luftëra, paqëndrueshmëri politike dhe stanjacion ekonomik që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Mundësoi fillimin e ëndrrës për një të ardhme evropiane që çon në ndryshime pozitive: rritje të prosperitetit, integrim më të mirë dhe përforcimin e lidhjeve mes njerëzve.
Në njëzet vitet e fundit, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë është arritur shumë. Ballkani Perëndimor në përgjithësi është më i qëndrueshëm. Vendet e rajonit sot gëzojnë përfitimet e regjimit pa viza si dhe rajoni që atëherë ka përparuar dukshëm në aspektin ekonomik. BE-ja deri tani është donatori dhe investitori më i madh në rajon. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor gravitojnë natyrshëm drejt njëri-tjetrit.
Sllovenia është mbështetëse e fortë e procesit të zgjerimit brenda Bashkimit Evropian. Partnerët tanë të Ballkanit perëndimor janë ndihmuar duke ju ofruar mbështetje politike dhe praktike. Proceset që kanë të bëjnë me zgjerimin e rajonit ndihmohen në çdo mënyrë. Kjo është politikë afatgjate e Sllovenisë që nuk do të ndryshojë.
Megjithatë, shumë mundësi janë humbur nga të dyja palët. Entuziazmi fillestar në Ballkanin Perëndimor sa i përket reformave, si duket gjatë dy dekadave të fundit, pjesërisht është zbehur. Prandaj, drita në fund të tunelit drejt anëtarësimit në BE duket më larg nga sa shpresonim të ishte në këtë pikë. Në të njëjtën kohë, BE-ja po përballet me sfidat e saja dhe zgjerimi nuk është gjithmonë prioriteti i saj. Fakti që BE-ja është e detyruar të merret me pasojat e luftës në Ukrainë, kërkon një reflektim të ri të përgjithshëm mbi qasjen ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Besojmë se është më se e qartë se procesi i zgjerimit është në thelb zgjedhje strategjike, jo vetëm detyrë teknike. Gjithsesi, zgjerimi i mëtejshëm duhet të ndjekë vizionin themelor të procesit të integrimit evropian, i cili bazohet në solidaritetin dhe arritjet reale të kandidateve. Janë të nevojshme vendime të guximshme politike.
Mesazhet tona për rajonin, Evropën dhe botën janë të qarta. Së pari, BE-ja është objektivisht zgjedhje shumë e mirë për rajonin, por u takon vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin për të ardhmen e tyre. Së dyti, Sllovenia nuk ka interesa egoiste në rajon. Politika jonë drejtohet nga solidariteti ndaj vendeve dhe njerëzve të Ballkanit Perëndimor. Sllovenia dëshiron atë që njerëzit duan: stabilitetin dhe sigurinë si parakusht të prosperitetit dhe përparimit ekonomik.
Vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë aspirata për anëtarësim në BE, tani dhe në të ardhmen mund të llogarisin mbështetjen e Sllovenisë.