Bashkimi Evropian (BE) ka përkujtuar ata që u vranë në gjenocidin e Srebrenicës dhe vlerëson se ky akt i kryer para 29 vjetësh ishte një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kanë bërë një deklaratë të përbashkët në 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.
Në deklaratë, BE-ja ka rikujtuar tragjedinë e mbi 8,300 burrave të vrarë sistematikisht në Srebrenicë dhe ka theksuar se “gjenocidi i kryer 29 vjet më parë është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane”.
BE-ja ka bërë thirrje liderëve rajonalë të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të veprojnë për drejtësi, besim dhe dialog.
Për të shëruar plagët e së kaluarës, BE-ja ka theksuar se është e rëndësishme që faktet historike të pranohen dhe të mësohen, viktimat të nderohen dhe të kujtohen, të zhdukurit të identifikohen dhe të gjithë autorët të përballen me drejtësi. BE-ja ka vënë në dukje se ky është çelësi për të luftuar rrënjët e urrejtjes që çuan në gjenocid dhe për të ndërtuar ura për pajtim.
Në deklaratë gjithashtu u kujtua se Këshilli i BE-së ka vendosur të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën në mars, duke e vlerësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për të përparuar në reformat që do të rrisin demokracinë, mirëqenien dhe sigurinë për popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe për t’i afruar më shumë vendin drejt anëtarësimit në BE./UBTNews/